Mushkolaj: Gjuha e urrejtjes nga militantët e VV-së është kthyer në normalitet

Opinonisti i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e tyre ndaj mediave dhe gazetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mushkolaj ka thënë se kjo po siguron klimë pasigurie në punë, teksa sipas tij, gjuha e urrejtjes nga militantë dhe përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në normalitet.

“Qasja dhe gjuha e njerëzve të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve po i rrezikon ata, duke iu krijuar klimë pasigurie në punë. Gjuha e urrejtjes në platforma sociale nga militantë e simpatizantë të VV’së dhe etiketimet, si “shpiun i Serbisë”, “argat i Vuçiqit”, “i shitun” etj. tashmë janë kthyer në normalitet”, shkroi ai.

Më tej Mushkolaj njofton se ditët e fundit ka marrë edhe shumë mesazhe kërcënuese, madje edhe me vrasje.

“E paimagjinueshme sa shumë mesazhe kërcënuese kam marrë këto ditë në rrjetet sociale, të llojit “ti po e mbështet Vuçiqin”, “ti po  e lufton Albinin”, “duhet me ju burgosë”, “duhet me ju vra” etj. Pushteti po i konsideron kritikët armiq dhe po përpiqet t’i diskreditojë e delegjitimojë, para se armata e militantëve t’i “masakrojë” ata online dhe t’i kërcënojë edhe fizikisht”, shkroi Mushkolaj.