Operacioni kundër fajdeve në Gjakovë, 90 policë u përfshinë në arrestimin e 5 personave

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje rreth aksionit të së martës kundër fajdeve duke thënë se ka kryer bastisje në shtëpitë e shtatë të pandehurve duke përfshirë 10 lokacione të ndryshme në Gjakovë, në të cilin aksion kanë marrë pjesë rreth 90 zyrtarë policorë.

Gjatë bastisjes janë gjetur ne cilësi të provave materiale dhe sendeve të dyshuara, dhe janë sekuestruar 16 vetura, dy motoçikleta, 5 armë të llojeve të ndryshme, USB-ja, telefona, dokumente, kontrata, regjistra, para dhe prova tjera, ku dyshohet se janë të përfituara me kryerjen e veprës penale të fajdesë.

Pas përfundimit të aksionit janë arrestuar pesë persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Fajdesë” nga neni 331,të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa dy persona të tjerë gjenden në arrati dhe të njëjtin janë në kërkim policor.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj 5 të pandehurve, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku pritet që gjatë ditës të mbahet seanca dëgjimore në lidhje me kërkesën e prokurorisë.

Aksioni u tha se është ndërmarrje pas veprimeve hetimore disamujore dhe pas sigurimit të provave të nevojshme, duke zbatuar edhe masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit. /Lajmi.net/