PDK-ja dhe AAK-ja bojkotojnë adresimin vjetor të Osmanit para deputetëve

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta bojkotojë seancën e sotme të Kuvendit, ku Presidentja Vjosa Osmani do të bëjë adresimin e saj vjetor para deputetëve.

Se AAK’ja nuk do të marrë pjesë në seancë e ka konfirmuar për Gazetën Express deputeti Pal Lekaj.

“Nuk do të marrim pjesë në adresimin e Presidentes”, ka thënë Lekaj.

Ndërkohë, burime të Express bëjnë me dije se as PDK’ja s’do të marrë pjesë në këtë seancë.

“Arsyeja e mospjesëmarrjes së deputetëve të PDK’së në fjalimin vjetor të Presidentes Osmani është se ajo nuk është nuk është treguar presidente e unifikimit të institucioneve dhe popullit siç e parasheh Kushtetuta, por ka vazhduar t’i shërbejë vetëm interesave të kryeministrit Albin Kurti, duke heshtur në vazhdimësi ndaj shkeljeve kushtetuese dhe padrejtsive që po u bëhen qytetarëve”, ka thënë ky burim.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.

Adresimi vjetor i Presidentes ishte bojkotuar edhe vitin e kaluar nga AAK’ja dhe PDK’ja.

Seanca ku Osmani pritet t’u adresohet deputetëve pritet të nis në orën 11:00.