Policia arreston të dyshuarin që udhëhoqi grupin “Albkings”, publikonte imazhe intime të grave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në orët e vona të së martës ka arrestuar një të dyshuar si udhëheqës të grupit në Telegram, “Albkings”, në të cilin shpërndaheshin fotografi dhe video të ndryshme intime.

Grupi “Albkings” kishte nxitur reagime të mëdha në opinion. Numëronte mbi 100 mijë anëtarë. Prokuroria kishte nisur hetimet për këtë grup në fillim të vitit. Javë më herët, ishte arritur të mbyllej. Por s’pati të arrestuar.

Të mërkurën, Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave “të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup”. Deri tash, një është arrestuar.

Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.