“Qasja ndaj Serbisë është e gabuar”, Kurti dhe Sveçla me kritika të ashpra ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet e tensionuara me SHBA-të.

Kurti ka sqaruar se SHBA-të duhet të kujdesen për demokracitë e të gjithë planetit dhe mund të ketë mospjatime në shumë aspekte strategjike e taktike.

Ai theksoi se, se nuk pret nga SHBA që të shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit po as ata nuk duhet të presin që Albin Kurti të shohë Beogradin me sytë e DASH.

“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak.Jo vetëm ata por edhe të gjithë ne”, ka thënë Kurti në podcastin “Public Square” me Ditmir Bushatin.

“Prandaj këtu shtohen dhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë mospjatime, më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror.

Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, as nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit por, as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e DASH”, tha Kurti.

Kritika ndaj SHBA-së ka hedhur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Kemi komunikim dhe raporte të mira me SHBA-BE, duam të bëhemi pjesë e Europës, e NATO, nuk kemi dallim në sistemin e vlerave, dallimi ku ne i kemi janë realisht ne mendojmë se qasja e tyre në raport me Serbinë është gabim, tolerimi i sjelljes kriminale të regjimit të Serbisë dhe satelitëve të tyre në Bosnje dhe Kosovë dhe influencës destruktive në rajon i inkurajon ato të jenë edhe më të egër”, u shpreh Sveçla në A2 CNN.

Ai e krahasoi qasjen e ndërkombëtarëve në kohën e Sllobodan Millosheviç, të njëjtë me atë ndaj Aleksandar Vuçiç sot. Sveçla tha se Millosheviç u tolerua më shumë sesa duhej dhe ajo që ndodhi ishte një masakër, e prandaj thekson se duhet të reagojnë në kohë ndaj Vuçiç.

“Duke stabilizuar sitën qoftë dhe e padrejtë do mund të blejnë kohë për ndryshimin e qasjes së Serbisë. Ne jemi të bindur se me regjim si Vuçiç Serbia nuk ndryshon, kjo jo vetëm se e thotë realiteti, na e mëson dhe historia. Millosheviç është toleruar më shumë sesa duhet, u desh që të vriteshin qindra mijëra qytetarë që të vriteshin, që perëndimi të shoh që duhet të mbajë një qëndrim të vendosur jo vetëm në kundërshtim, por edhe ndëshkim të Serbisë, sa më shumë të tolerohet aq më shumë do tentojë që të shfrytëzojë benefite nga të gjitha anët”, përfundoi Sveça.