Rahovec: Dy të mitur kapen me substanca narkotike, dërgohen në mbajtje

Foto Ilustrim

Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Xhelal Hajda’ në Rahovec, ka ndalur për kontroll dy të mitur.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të miturit që po lëviznin me automjet, janë kapur me substanca narkotike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Dy të miturit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.