Vajza e Kurtit shkollohet jashtë vendit, Muja e arsyeton “por kryeministri ka zgjedhur të jetojë në Kosovë”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është pyetur në lidhje me faktin që vajza e kryeministrit Albin Kurit, e frekuenton një shkollë jashtë vendit.

Muja ka theksuar se ai vetë dhe fëmijët e tij i përkasin shtresës së mesme dhe edukohen në shkollat publike.

Ai e arsyetoi Albin Kurtin në një mënyrë mjaft interesante duke thënë se edhe pse ka mundësi për të jetuar në një vend tjetër, ka vendosur të mbetet dhe të kontribuojë në Kosovë.

“Këtë argument mund ta shtroni në dy mënyra, njëra nga to se unë po e dëgjoj pak është meqenëse është kryeministër, fytyrë publike, mbase mund të jemi edhe ne subjekt i gjykimit të vazhdueshëm nga shoqëria, por ju mund të bëni pyetjet në këtë mënyrë, pse dikush megjithëse ka pasur mundësinë të jetojë në një vend tjetër, ka vendosur të jetojë në Kosovë”, ka deklaruar Muja.

Ndërsa Panduri i ka thënë se edhe pse vajzat e tij kanë nënshtetësinë shqiptare personalisht i ka besuar shkollave publike në Kosovë.

“Unë jam i gatshëm ta lë vetën pa bukë, por unë i besoj publikes, dhe kam vendosur ti besoj, nëse kryeministri shkollon fëmijët jashtë këtij vendi, a nuk i beson publikes”.

Muja iu përgjigj duke thënë se kjo është një çështje që shpesh has në parlament.

“Unë e kam dëgjuar këtë argument, mjerisht e dëgjoj çdo herë në parlament. Një mënyrë për ta parë problemin meqë unë i kam pasur mundësitë me shpenzu jetën time diku ku fëmijët shkollohen më mirë, unë kam vendosur me u marrë më u ballafaqu me këto sfida, të gjithë e kemi prioritet të gjithë vijmë nga shtresat e mesme, nuk ka shumë biznesmenë në mesin tonë. E kemi prioritet edhe vërtetë është duke u punuar”, ka thënë deputeti i LVV-së Muja në RTVD.