“Teta Gjyli” keqpërdoret për të mashtruar bizneset në Gjilan e Prizren, bie në pranga të policisë “përfaqësuesi” i saj

Një 25-vjeçar nga Gjilani ka rënë në prangat e Policisë nën dyshimet se ka mashtruar disa kompani në Gjilan e Prizren dhe ka përfituar shuma të konsiderueshme të të hollave duke u prezantuar si përfaqësues i një biznesi, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari G.Sh., (emër i njohur për redaksinë) është prezantuar si pronar i kompanisë ‘Teta Gjyli’ që është në pronësi të aktorit Osman Azemi dhe kështu ka vënë në lajthitje disa biznese.

I dyshuari ‘marrëveshjet’ që i ka bërë me këto kompani kanë qenë gjoja se për marketing gjatë serialit ‘Teta Gjyli’ që do të transmetoheshin në televizionet në Kosovë.

Mashtrimi i tij u zbulua, me ç’rast i dyshuari u shoqërua në Polici, ku u përball me veprën që ngarkohet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij kanë nisur hetimet për mashtrim dhe i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë