2-vjeçari dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit, mjekët thonë se s’pati shenja dhune

Gjatë ditës së djeshme një fëmijë dy vjeçar është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Sipas drejtorit të spitalit, fëmiu kishte vdekur para se të sillej në spital dhe nuk ka pasur traumë apo dhunë fizike.

“Sipas mjekut kujdestar, afërsisht, më tepër se gjysmë ore më herët fëmija kishte vdekur para se me ardhë në spital. Nuk ka pasur të dhëna nëse ka qenë i diagnostikuar me ndonjë sëmundje. Trauma dhe dhunë fizike, sipas mjekut kujdestar, nuk ka pasë”, ka thënë drejtori i spitalit Arsim Emini për Betimi për Drejtësi.

Lidhur me këtë rast ka bërë të ditur dhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ku kanë treguar se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është në hetime.

Njoftimi i plotë i policisë:

HETIM MBI VDEKJEN- Novobërdë 03.03.2024, 15:00.Është raportuar se në spitalin rajonal është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime.