Çka po zihet? Deputeti i VV-së, Jahja Kokaj hyn në zyret e AAK-së bashkë me Artan Nimanin

Me afrimin e zgjedhjeve, padyshim se rritet entuziazmi për të parë se kush do të jenë aderimet e reja të partive politike, apo edhe ato ndryshimet eventuale që mund të bëhen nga akterë politikë të pakënaqur.

Një foto tejet interesante është kapur sot nga Paparaci, ku shihen deputeti aktual i VV-së, Jahja Kokaj dhe kreu i Forumit Intelektual, Artan Nimani, që së fundi zyrtarizoi koalicionin me AAK-në e Nismën.

Ata janë parë duke hyrë në zyret e AAK. Për të marrë një koment lidhur me fotografinë e apostrofuar, Paparaci kontaktoi direkt me ligjvënësin kosovar, Jahja Kokaj.

Shkencëtari i tha redaksisë sonë se me Nimanin njihen familjarisht, pasi gjyshi i Nimanit dhe babai i Jahja Kokajt kanë qenë bashkë në burgun e Goli Otok (Kroaci).

“A më njihni ju mua? Unë jam në VV. Jam takuar me Artan Nimanin pasi njihemi familjarisht. Nuk e di prej nga këto zëra. Unë jam në VV, a kuptoni? Veç pak të më kishit njohur do ta dinit se nuk do ta bëjë një veprim të tillë”, tha Kokaj për Paparacin.

Kujtojmë, ishte pikërisht kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti që sot ripërsëriti faktin se mund të shkojnë në zgjedhje nëse të gjithë partitë bëhen bashkë dhe në koordinim me presidenten e caktojnë një datë të tillë.

Por, ai ka refuzuar të japë dorëheqje, duke shtuar se vetëm në koordinim mund të shkojnë në zgjedhje të parakoheshme, e që sipas asaj që flitet koluareve politike në vendin tonë, muaji më i mundshëm duket të jetë Tetori.