Një muaj paraburgim për militantin e VV-së që kërcënoi avokatin Besnik Berisha

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Abdulla Mjekut, i cili dyshohet se ka kërcënuar avokatin, Besnik Berisha.

Gjykata i ka shqiptuar të dyshuarit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’.

Kujtojmë se Mjeku është militant i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kërcënimet e tij drejt avokatit Berisha lidhen pikërisht me kritikat e këtij të fundit drejtuar qeveritarëve.

“Për korrektësi, kërcënimi nuk lidhet asgjë me punën time si avokat e as si pronar i mediumit, por lidhet me fjalën e lirë dhe mendimet e shprehura publikiaht kundër pushtetit dhe kjo u bë sebep që ky militant të më kanos sëriozisht. Pavarësisht kësaj dhe kërcënimeve si ky, unë asnjëherë nuk do të ndryshoj bindje e as qëndrimet ndaj të keqes dhe padrejtësisë”, tha Berisha dje për Sinjalin.

Militanti siç mëson Insajderi e kishte kërcënuar avokatin derisa ishte duke ecur në këmbë. I dyshuari nga makina e kishte kanosur me fjalë dhe gjeste Berishën.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.